Grimca jete

Megjithëse dritarja ishte e hapur nga të dy kanatet e saj, gjithcka futej brenda, ishte vetëm një avull përvëlues, i përzier me djersë. Një freskuese në fund të dhomës së vogël, improvizuar si një redaksi lajmesh, më shumë bënte zhurmë sesa fresk. Sara tundi pak kokën mbrapa, si për të larguar flokët që i kishin zënë qafën dhe ngjiti shkallët e ndërtesës dykatëshe, pa e hedhur vështrimin as majtas e, as djathtas. Mbajti frymën që të fuste barkun pak brenda, e kështu mund të kalonte me lehtësi – pa prekur askënd – mes hapësirës boshe që krijonin karriget e shumta, të vendosura në kurriz me njëra tjetrën. U clirua më në fund kur u gjend para kompjuterit të saj, që si për dreq ndodhej në fund të dhomës. Ishte fund shtatori, por vera kishte lëshuar rrënjë aq fort, sa nuk kishte ndërmend të lëvizte. Ajo bëri një “uf”, a thua se vapa do të bëhej më e përballueshme, dhe më dorën e majtë – që kishte të lire – lëvizi një grumbull letrash që ndodheshin në anën e kompjuterit të saj. Bëri pak vend për gotën e bardhë plastike, mbushur deri në buzë me kafe. Nuk mbante mend sa kishte pirë deri në ato momente, por edhe të hiqte dorë nga zakoni i saj nuk ishte aq e lehtë. Hoqi cantën që varej në supin e krahut të djathtë dhe më në fund u ul. Fërkoi duart me njëra – tjetrën, sikur mendimet t’i buronin prej aty, dhe ju drejtua ekranit të bardhë. Me byrrala mbi tavolinën e punës, mjekrrën futur në duart e bëra grusht, Sara ja nguli sytë ekranit të kompjuterit dhe nuk arrinte të shkruante qoftë edhe një rrjesht; as edhe një fjali të thjeshtë. Prej ditësh qarkullonin zëra se dy gazetaret e reja do të hiqeshin nga puna, kështu do të merrnin dy të tjera, të reja; pa eksperiencë, të cilat do të kalonin nëpër të njëjtin fat: do të rropateshin sa në një cep në një tjetrin dhe do të paguheshin më pak nga të gjithë. Ajo e dinte që ishte njëra prej tyre. Shfryu me inat dhe kaloi prapa veshit një tufë flokësh, që i binin mbi sy. Shkroi një fjali e fshiu, shkroi dhe një tjetër e prapë e fshiu. Rrudhi pak buzën dhe mori në dorë gotën e kafesë. Gota ende nuk kishte prekur buzët e hapura, që prisnin lëgun magjik, kur dëgjoi një zë prapa veshit: Sillu mirë me mua dhe askush nuk do të heqë nga puna! Nuk e ktheu kokën, e dinte fare mirë kush ishte. Të dridhura i mbuluan trupin e lagur nga djersa. Bëri sikur nuk dëgjoi asgjë dhe hodhi prapë flokët mbi fytyrë, për të zënë sërish veshin. Në atë vend ishte më mirë të mos dije dhe të pretendoje që nuk dëgjoje asgjë. Nxori nga canta një nga ato letrat e lagura dhe fshiu djersën që i pikonte poshtë vetullave. Vuri kafen ne tavolinë, u ngrit, lëmoi pak me dorë – për t’i hequr rrudhat – fundin blu, me ca lule kafe në formë gonxhesh të mëdha, dhe u nis drejt zyrës së shefit. Ai ankth duhej të mbaronte! Nuk mund të kalonte as dhe një minutë më tej. Dera ishte e hapur dhe një grumbull mizash vlonin në hyrje, por as ato dukej se nuk tentonin të futeshin brenda. Ai, i gjithëpushtetshmi, ishte ulur në karrigen e tij me rrota, ndërsa këmbët i mbante të ngritura mbi tavolinë. Sarës po i dridheshin gjunjët, e zemra po i rrihte fort, sikur do t’i dilte vendit. Cfarë do t’i thoshte? Po sikur ato që kishte dëgjuar të ishin vetëm thashetheme? Nuk pati më kohë të kthehej pas, ai e vuri re dhe ja bëri me shenjë të priste. Në cdo skenar të mundshëm, Sara ishte e humbura. Ajo dinte dy gjuhë të huaja; kishte lexuar katër vëllimet e “Lufta dhe Paqja”; kishte mbrojtur temën e diplomës me dy romanet e Dostojevskit; kishte qarë shumë për Fabricion te “Manastiri i Parmës”, por asgjë nga aty nuk pinin ujë ,në atë ambjent grenxash. E dinte që diplomën për inxhinieri, që Ai mbante të varur në mur, e kishte blerë për pak para. Ai kishte miq të fuqishëm në politikë, nga ata me qafë të trashë dhe që lënë orat ‘Rolex’ për bakshish, ndërsa Sara nuk kishte asnjë. Ai kishte një shtëpi në Tiranë dhe një në bregdet, ndërsa Sara mezi paguante qiranë; edhe atë duke e ndarë me kolegen e saj. Ai kishte një makinë ‘Audi’ edhe e shoqja dhe e dashura e tij, kishin nga një të tillë. Sara shkonte dhe vinte në punë me atobusin e unazës. Ai kishte…. Dora e tij e madhe, që u valëvit në ajër si zog që ka humbur drejtim, ja ndërpreu në mes mendimet. “Sa mirë që erdhe vetë, mbaro c’ke për të bërë për sonte dhe nesër është më mirë të mos dukesh më këtej. Ah, se mos harroj, thuaja dhe shoqes tënde. Nesër në vendin tuaj do të punojnë dy vajza të tjera”. Sara kafshoi buzën në tentativë për të ndaluar lotët. “Po…pse…,” u gëlltit ajo dhe fjalët e saj u mbytën. “Të lutem, mbylle derën kur të dalësh”, – i tha ai pa asnjë emocion në fytyrën e tij të kuqerrëmte dhe nisi të luante me telefonin e tij, model i fundit. Ajo qëndroi ashtu për disa sekonda, dhe me hapa të avashtë mori rrugën për të ikur. Ndaloi në derë, mblodhi dorën grusht e, u kthye dhe një herë në drejtim të tij: “Një ditë…”, dhe fjalët i mbetën sërish në grykë. Mjekrra ju dridh dhe asnjë pjesë e trupit nuk po bindej më. Doli jashtë dhe mbylli derën, sic ja dhanë porosi. Ndaloi në krye të shkallëve dhe u ul. Këmbët i kishte aq të dobëta se nuk e mbanin për të bërë hapa më tej. Kjo ishte puna e tretë që kishte humbur brenda 6 muajve. Kishte një mal me borxhe dhe qiranë në fund të muajit për të paguar. Kishte minimizuar të ngrënët. Të dalurat nëpër klube ishin harruar. Ajo rronte pothuajse vetëm me kafe, e megjithatë, ajo e donte atë punë. Një zë i brendshëm, që po vinte duke u shuar dita ditës, i thoshte që duhej të qëndronte në atë profesion; ishte gjithë jeta e saj. Por pasioni nuk i paguante dot faturat. “Po tani o Zot, cfarë të bëj? Të iki dhe unë nga ky vend”? i vinte të ulërinte. Fshehu  kokën mes duarve të saj dhe qau pa zë.

Nga:

Teuta Metra

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s