Copëza jete II

Alba Nallani u ngrit nga karrigia ku kishte qëndruar për disa orë. Mblodhi krahët mbi gjoks, dhe nisi të bënte disa ecejakje në dhomën e saj të madhe. Muskujt e fytyrës i kishte të tendosur. Herë pas here, rrudhte vetullat dhe mblidhte buzët, a thua se fliste me një qenie të padukshme. Byzylyqet e shumta, që mbante në dorë, tringëllinin, ndërsa ajo ecte sa lart poshtë, duke zhytur takat e saj të larta në tapetin persian, ardhur së fundi me porosi. Për një cast ndali hapat përballë dritares sa një faqe muri. Lëvizi pak perden ngjyrë bezhë, zgjedhur me kast që të mos shpëlahej nga rrezet e diellit, dhe mbështeti shpatullën e djathtë në kanatën e dritares. Prej andej, shikonte rrëmujën e madhe, në të cilën ishte kredhur qyteti i saj. Në trotuarin përballë saj, një grup të rinjsh shtyheshin me njëri – tjetrin, dhe ulërinin më sa kishin në kokë, më tutje, dikush fliste me vete. Një plakë që mbahej mbi një shkop të shtrembër, përpiqej të kalonte rrugën, në kohën që semafori tregonte shenjën për kalimtarët; por asnjë makinë nuk ndalonte. Alba vuri buzën në gaz. Tirana prej kohësh ishtë pjesë e asaj vorbulle. Por ajo as që donte t’ja dinte. Sa më i ngatërruar të ishte qyteti i saj, aq më e lehtë ishte për të që të arrinte atë që kishte dashur: para.

E kishte pasur të lehtë të fitonte shumë tendera rrugësh. Rrugë që nuk do të bëheshin kurrë, por që askush nuk do të mund të ngrinte gishtin kundër saj. Por, kësaj here gjërat nuk shkuan ashtu sic duhej. Sidoqë të ishte puna, ajo vrasje nuk duhej të kishte ndodhur. Ishte një keqllogaritje. Ajo shfryu tymin e cigares që sapo kishte thithur, dhe fiku atë c’ka kishte mbetur, duke e shtypur disa here, mbi parvazin e dritares. Zgjati kokën jashtë dritares. Dielli tashmë kishte marrë rrugën për t’u fshehur prapa malit, e kjo i tregonte asaj se nuk kishte mbetur dhe shumë kohë.

“E marrtë dreqi dhe këtë punë”, turfulloi nëpër dhëmbë, dhe lëshoi perden, e cila pas disa luhatjesh zuri vendin e saj.  I ktheu shpinë dritares dhe zhurmës së qytetit që nuk ndalonte kurrë, dhe u ul sërish para laptop-it të saj. Kishte gjithë ditën që fytyra i ishte ngjitur si me mastic, përpara atij ekrani të vogël: ‘apple’. Kishte pirë kush e di sa kafe e, tavulla e duhanit ishte e tejmbushur plot me bishta, e gjysma cigaresh të papërfunduara. Futi gishtat në flokët e saj të zinj dhe i mbajti ato të ngritura mbi qafën e saj të hollë që reflektonte një ngjyrë të bukur prej cokollate. Flokët, megjithëse të shkurtra, atë moment po e bezdishin si kurrë më parë. Rremoi në cantën e saj ‘Gucci’ për një kapse, por duart nuk i nxorën prej andej asgjë. Nuk ja kishte ngenë të dilte në dhomën tjetër, pasi shuma e parave mund të shfaqej në monitor nga njëri moment në tjetrin. A nuk i kishte thënë Ai, që paratë do të transferoheshin sot. Pëllëmbët e duarve i ndjeu të lagura, i fshiu në jeanset ‘Armani’ që mbante veshur. Edhe bluza e kuqe prej mëndafshi, dukejt se ishte lagur nga kanali i djersës, që rrëshkiste pa pushim poshtë krahëve të saj. Pulti i kondicionerit kishte mbetur tek 17 gradë celcius, por ajo sërish nuk ndalonte dot djersitjen e madhe. Kërciti dhe një herë gishtat, por kësaj rradhe aq shumë, sa u duk sikur ju thyen. Me të marrë këto para do të largohem nga Tirana, nuk më ka mbetur më asgjë këtu. Këtij vendi i mora c’ishte për t’i marrë. Do të iki dhe do të nis një jetë të re. Askush nuk do të më njohë më, mendoi. Futi dhe një herë dorën në cantë për të kontrolluar pasaportën e saj, ngjyrë blu. Fytyra i qeshi vesh me vesh për identitetin e saj të ri… Askush nuk do të më zbulojë…

Nga Teuta Metra

Teuta Metra

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s