PUSHIME FALAS

 Sapo u celebrua martesa jonë civile, mora mbiemrin e bashkëshortit dhe pashmangshmërisht më priste një jetë e re, kryekëput e ndryshme nga e mëparshmja. Kur avioni i vogël turistik u shkëput nga toka, fillimisht përjetova ankthin e fluturimit për herë të parë, më pas shkëputjen nga jeta e mëparshme.

Do doja të ishim gjithmonë kaq të lumtur. Po shkonim në Antalia për muaj mjalti. Më dukej si ëndërr. Sikur të isha duke jetuar një jetë që s’ishte imja. Kisha arritur shumë më tepër nga sa ëndërroja. Brenda vitit isha diplomuar, nisa punë, isha dashuruar, martuar, madje ishim duke pritur edhe një fëmijë. S’mund të mos isha e lumtur dhe t’i isha mirënjohëse fatit për gjithë zemërgjerësinë e treguar ndaj meje. E shtrirë në krevatin e plazhit, isha buzë pishinës, duke marë rrezet e para të diellit e njëkohësisht shijoja ambjentet e mrekullueshme të kompleksit turistik me pesë yje. Çdo gjë e mrekullueshme. Sidomos ushqimi. Isha dashuruar menjëherë me kuzhinën turke. E kishim dashur shumë këtë udhëtim, muajin tonë të mjaltit. Më saktë javën e mjaltit.

Me paratë që kishim vetëm kaq mund të paguanim. Ndërsa nga një dasmë e vërtetë me fustanin e bardhë të nusërisë që kisha ëndërruar qysh fëmijë, me tortën gjigante dhe gjithë të tjerat që janë të domosdoshme në një rast të tillë kisha hequr dorë përfundimisht. Vendosa dorën mbi bark, për të ledhatuar gjënë tonë më të shtrenjtë. Të tjerat s’kishin kurrfarë rëndësie. Im shoq që po më ndiqte me sy më buzëqeshi. Ai me zor priste që barku im të fryhej si tullumbac dhe fëmija t’i gjuante me shkelma sapo të vendoste dorën mbi të. Ai e adhuron detin. Po priste të vinte dikush tjetër, për të mos qenë vetëm. Ishim një grup jo i vogël nga Shqipëria. Sa për mua, as që bëhej fjalë të hyja në ujë para mesditës. Sapo dëgjoi të flitej shqip u çua me vrik nga krevati i plazhit. Ishte një familje e mrekullueshme prej katër anëtarësh.

Por, tim shoqi i shkoi huq. Çifti i ri i bashkëshortëve, të cilët mbanin secili nga një aparat fotografik profesional në dorë, menjëherë pasi na përshëndetën nisën njëkohësisht të fotografonin djemtë e tyre. Po i shihja me vëmendje. Edhe mua më pëlqejnë fotot, i adhuroj, por pamja që kisha përballë më vriste sytë. Djemtë, që për hir të së vërtetës duhet të them se ngjanin si dy yje, vetëm pozonin, ndërsa prindërit e tyre vetëm i fotografonin pareshtur. Asnje tablo familjare. Përse? Im shoq e kapi hutimin tim dhe m’u afrua duke më pëshpëritur. -Pushimet e tyre dyjavore janë falas. Gjithçka e paguar nga kompleksi turistik. Dy djemtë kanë një blog me shumë ndjekës. Detyra e tyre është të reklamojnë çdo ambjent të këtij vendi. Pas pak të dy djemtë u zhytën në pishinë. Me siguri uji ishte shumë i ftohtë. Dielli sapo kishte lindur. E pash tim shoq në sy. Djemtë po dridheshin nga uji i akullt, ndërsa prindërit e tyre, në vend që t’u jepnin urdhër të dilnin menjëherë nga pishina dhe t’i mblidhnin mirë me robdishambër që të mos ftoheshin, i nxisnin për të pozuar. -Lindja dhe perëndimi i diellit është koha më e mirë për të bërë foto. Ka ndriçim fantastik,- më përshpëriti im shoq.

U ktheva përmbys në krevatin e plazhit. Nuk duroja ta shihja atë pamje më gjatë. Po më dhembnin sytë. M’u kujtuan kohët kur puna e fëmijëve shfrytëzohej në miniera. Kishin ndryshuar vetëm format, thelbi ishte po ai. Shfrytëzimi. Im shoq u dorëzua duke pritur dikë si vetja, të marrosur pas detit dhe të gatshëm në çdo kohë për not. Para se të nisej më pëshpëriti duke çuar buzët vesh më vesh nga e qeshura. -Mos rri shumë përmbys e dashur! Mund t’i shtrembërohet ndonjë pjesë e trupit fëmijës dhe ne nuk mund të përfitojmë kurrë pushime falas.

Nga: Elda Gjini

32349974_167239160779756_7092257604436492288_n

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s