Kryeministri holandez “ngel” në klasë

Sot në mëngjes më lindi një ide briliante dhe sytë më shkëlqyen, si Edison-it kur shpiku llampën. Që të mos ndryshoja mendje, mora telefonin dhe formova shpejt e shpejt numrin e Mark Rutte-s (për ata që nuk e dine, është kryeministri holandez). Ishte ende herët, ndaj mendova se Mark-u nuk do të kishte mbërritur në zyrë. Fundja, i dhashë vetes kurajo, për të bërë një bisedë mbi artin, letërsinë; për gjërat e bukura me pak fjalë, gjendet gjithmonë kohë.
Nuk di pse, por nga zëri m’u duk i nevrikosur, ndoshta ngaqë e kisha shqetësuar që në pikë të mëngjesit. “Cudi”, – thashë me vete si kishte mundësi të kishte ndodhur një gjë e tillë, pasi sa herë e shoh në TV, më duket shumë i qetë dhe mirëkuptues. I thashë se doja të promovoja në zyrën e tij, në Tweede Kamer, librin tim të ri, dhe meqë isha që isha aty, të thoja dy fjalë edhe për librat e tjerë. Pse të mos bëhej një gjë e tillë, kur Tweede Kamer ka dhoma dhe hapësira plot. I thashë gjithashtu edhe se do t’ju jepja të gjithë ministave e ministreve të tij, nga një kopje të kryeveprës sime, që ende nuk ka dalë në treg. Kjo, jo për ta korruptuar, por thjesht për t’i shprehur mirënjohjen për gjestin e tij. Nuk di, dhe nuk kam lexuar që holandezët të kenë ekspozuar ndonjëherë artin në zyrat e Tweede Kamer, megjithëse mua e gjithë ndërtesa e tyre më duket art më vete. Ta ka ënda të punojë njeriu aty, të duket sikur është me pamje nga deti. Mbaj mend në vitin 2010, pjesë e një grupi gazetarësh ndërkombëtare, kur pata rastin të vizitoja atë vend, u mahnita jo vetëm nga arkitektura, por dhe nga eleganca e asaj që pashë brenda. Mendova me vete se si ka mundësi që nuk i kanë ekspozuar pikturat e Van Gogh-ut, apo Vermer-it aty, por i kanë lënë nëpër muze të vecantë, ku njerëzia paguajnë para dhe mahniten duke i parë. I thashë vetes se nuk do t’ju ketë shkuar ndërmend, ndaj dhe doja t’i tregoja Mark-ut një sekret. U habita sërish kur ai u kollit pak, si për të qëruar zërin, ose po kërkonte të fitonte kohë, pasi nuk po arrinte të konceptonte atë që unë po kërkoja. Nuk e kuptonte, pse duhej ta ekspozoja artin tim e të falja librat e mi në Tweede Kamer. Në mënyrë të sjellshme e, për të mos më ofenduar, më tha që në Holandë ka shumë hapësira të vecanta, vetëm për të promovuar libra që quhen biblioteka, apo mjedise publike e të tilla si këto. Ka gjithashtu edhe vende për të ekspozuar artin, si: muze, salla artistike, lokale të marra me qira, ambjente të tjera të improvizuara, ashtu sic edhe i ka hije artit; për të mos e ngatërruar me politikën, pasi për një arsye, ose një tjetër, kanë misione të ndara.
Teksa me sqaronte me bindje idenë e tij mbi artin dhe politikën, unë mendoja që nuk po më kuptonte për të disatën herë edhe pse unë vazhdoja të këmbëngulja fort, me shpirtin e një ballkanaseje. Unë thjesht doja ta shpëtoja, të ishte një hap para Merkel-it, apo Macron-it, se me siguri edhe Parisi e Berlini, do të bëjnë një gjë të tillë. Nuk e mbajta dot veten dhe i tregova se në vendin nga vi kjo është normë, e të gjithë mund të ekspozojnë në kryeministri (nuk i tregova se ekspozohet vetëm po të kesh njohur/dashur, vetë atë që ka celesat e kullës së barit). Po fundja dhe ai nuk ka pse t’i dijë të gjitha. Dhe sërish me zë të lartë, shtova që meqë Shqipëria do të futet në mos nesër, në një të pasnesërme që nuk e di se kur në BE, a nuk do të ishte më mirë që Holanda të ishte avangardë dhe të merrte dicka që bën sot Tirana zyrtare?! Nuk po i kërkonte njeri të bënte ndonjë shpikje vetëm një “copy paste”. As këtë nuk e hëngri Mark Rutte, por në mënyrë, sërish të sjellshme, më bëri të ditur se duhej të merrte bicikletën dhe të nisej për në Tweede Kamer, pasi kishte lënë disa punë urgjente. “Bicliketë, punë urgjente”, mendova me vete “pfff”. E mbylla telefonin e mërzitur, por më shumë u zhgënjeva, kur më doli gjumi. 😉
Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s