Si nuk plas nga inati

U nevrikosa shumë me Virginia Woolf kësaj rradhe. Madje, e mora dhe inat. Kur e kisha lexuar shumë vite më parë në universitet, nuk më kishim bërë përshtypje të mëdha detajet me të cilat ajo e pëshkruante Londrën. Ndoshta isha tepër e re në atë kohë e, era e rinisë që më kishte rrëmbyer të tërën, m’i fshinte pa dashje, gjërat që duhej të kisha parë. Në fakt shpejt e kuptova që  mërzia ime  nuk ishte gjë tjetër, vecse një xhelozi  e brendshme. Një xhelozi për gratë e vitit 1920, që visheshin bukur e dilnin rrugëve të Londrës deri natën vonë. Askush nuk i kërcënonte, askush nuk i ngacmonte (të paktën në libër). Ishin të lira të dashuronin, ishin të lira të lexonin dhe të pëlqenin kë të donin. Po, u mërzita, pasi edhe sot e kësaj ditë në vendin tonë, vajzat dhe gratë vriten në emër ‘të dashurisë’. Vrasja e fundit a nuk ndodhi mbrëmë?! Ne i vrasim gratë me c’të na dalë përpara: armë, sëpatë, thikë, lugë, pirun etj. I përdorim, sikur të ishin qenie pa shpirt e, mund te bësh c’të duash me to. U mërzita me Virginia Woolf-in edhe pse prisja që njëri prej personazheve duhej (sipas mendjes sime) të vriste tjetrin, për faktin e thjeshtë se pse nuk e dashuronte më; as kjo nuk ndodhi. Pyeta veten si ishte e mundur një gjë e tillë në vitin 1920?! Pasi unë bëj c’bëj i hedh sytë nga Shqipëria ime dhe aty vritet një grua pothuajse cdo ditë. Bilanc tragjik; bilanc lufte.

Screenshot-2018-4-5 Si nuk plas nga inati copy

Po, po u nevrikosa me londinezet e pafajshme të dy shekujve më parë që bridhnin si tua kishte qejfi. Në fund të fundit, përse të mos bridhnin; a nuk kemi ardhur në këtë jetë të gjithë të barabartë, me të drejta zgjidhjeje po të barabarta?! Por, unë sërish u nevrikosa, pasi kujtova kohën kur isha fëmijë dhe prisja me padurim gjyshen time, mbaj mend që koka e saj e bardhë shfaqej gjithmonë disa hapa pas gjyshit. Ata kurrësesi nuk mund të ecnin krah për krah. E ndaj s’më dilte inati me personazhet e Woolf-it, që endeshin nëpër parqet më të bukura të Londrës. Ata dashuronin, ëndërronin, pinin caj, flisnin për hënën dhe për yjet – edhe pse ato mezi i dallon nga mjegulla dhe shiu që s’ka të sosur në Londër. Personazhet e Woolf-it flisnin për librat e lexuar; për poezinë edhe për Shekspirin. Ndaj e mora prapë inat. Mbaj mend rrugën e fundit që bëra me avion në Tiranë, të vetmit që lexonin ishin disa të huaj. Nuk pashë asnjë nga ne me libër në dorë. Edhe unë që kisha marrë me vete një libër, për të bërë si e huaj, më rrëmbeu vala dhe e futa sërish në cantë; nuk lexova asnjë gërmë. Pra, ku ta marr një personazh timin që lexon?

Mërzia ime ishte xhelozi, për omnibusët e vitit 1920, në të cilët ata, londinezët, bënin xhiro netëve gri, nëpër Londrën e trazuar me shi. Sec m’u kujtuan autobusët cek, të viteve të komunizmit që sapo të vije këmbën në të, t’i sillte zorrët në grykë. Ishin vitet e mia të fëmijërisë, shumë larg viteve të personazheve të Woolf-it, që lëviznin me taksi dhe omnibus. Ca kujtime të trishta, nuk të shqiten nga mendja kollaj.

Screenshot-2018-4-5 Si nuk plas nga inati

U nevrikosa edhe për faktin që personazhet e Virginia Woolf, në rastin më të mirë që nuk gjenin taksi të lirë, i drejtoheshin metrosë së Londrës. Kërkova me sytë e mendjes për metronë, apo tramvajn e shumëpërfolur në Tiranë dhe prapë se prapë, nuk e gjeta. Bëhet fjalë për vitin 2018. Ja më thoni ju, a kam të drejtë që marr inat dhe mërzitem me Virginia Woolf. Me cfarë ta lëviz personazhin tim nga Tirana në Durrës dhe anasjalltas, nëse udhëtimin dua ta bëj romantik, sic është ai tek filmi: ‘Romancë në trenin Orient Ekspres’. As tren nuk gjeta, në sytë e mendjes sime! M’u kujtuan ata trenat e dikurshëm; më duket kishin një ngjyrë jeshile të shpëlarë. Kam pasur dhe kënaqësinë e madhe të shkoj në plazh me tren e, kam ndjerë sesi era lozte me flokët e mia sa herë nxirja kokën në dritare. Cfarë kohe! Të paktën unë i mbaj mend. Motrës sime – e lindur pas viteve në ’90 – udhëtimi me tren nëpër Shqipëri, i duket si ato përrallat: na ishte një herë!

Dhe ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Ktheva dhe faqen e fundit të librit ‘Natë dhe Ditë’ dhe e pashë veten të dashuruar për herë të dytë, të tretë, të katër; e kush e mban mend, me Londrën e Virginia Woolf. Ka dicka të vecantë në atë qytet; në rrugicat dhe sheshet e tij kanë ecur dhe shkruar shumë poetë.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s