Nuk është ashtu sic duket

Alba Nallani parkoi makinën e saj të bardhë; ‘Porche Cayenne”, në rrugën më të populluar të Tiranës: aty ku e shihnin të gjithë. Sido që të vinte puna, ajo duhej të faktonte që e kishte kaluar të gjithë fundjavën në kryeqytet. Nëse do t’i duhej, nuk e kishte të vështirë të gërmonte në fund të dheut, e të blinte dy dëshmitarë të rremë. Kohët e fundit shumë njerëz e kishin halë në sy; ndaj duhej të lëvizte pa tërhequr vëmendjen e askujt. Pasuria e saj ishte bërë burim xhelozie. Një gabim i vetëm në llogaritjen e këtyre detajeve të vogla mund t’i shkaktonte asaj humbjen e miliona eurove. Kjo nuk duhej t’i ndodhte në asnjë mënyrë.

I shoshiti me mendje të gjitha rrugët e mundshme. Duhej të hynte e të dilte në Greqi, pa rënë në syrin e askujt. Kjo do të thoshte që të mos kishte asnjë regjistrim të emrit të saj në pikat kufitare, pra asnjë vulë në pasaportë.

Pika e kalimit kufitar të Kapshticës ju duk si më e favorshmja, e dinte që policët e të dy doganave bliheshin për pak para. Futi në dy zarfe të bardha nga një mijë euro, lëpiu kapakët, për t’i ngjitur sa më mirë dhe i fshehu me kujdes mes disa letrave që do të mbante në cantën e dorës. Mori me vete pak rroba, nëse do t’i duheshin të tjera, Athina kishte dyqane plot. Futi në valixhen e vogël “Samsonite”, disa të brendshme, sic ja zuri dora, si dhe dy palë pantallona e dy t-shirt-e. Veshi një palë jeans-e të vjetra, një pulovër që as vetë nuk dinte pse e kishte ruajtur në fund të dollapit, gjeti dhe një palë këpucë të zeza me fare pak takë. “Po më pa njeri të veshur kështu, nuk do t’i besojë syve”, vuri buzën në gaz. “Ky është qëllimi: Të mos më njohë askush!” mendoi me vete. Më pas mori laptopin, prej nga do ta bënte transferat bankare, dy telefona, si dhe futi në portofol një tufë me kartmonedha njëqind euroshe. “Nëse më duhet të fsheh gjurmët, duhet ta bëj sic duhet!” – kartat e kreditit i kyci në një sirtar; brenda dollapit të madh të rrobave. Nuk duhej të vonohej, cdo vonesë mund t’i shkaktonte probleme në kufi, ndaj telefonoi një taksi dhe zbriti me shpejtësi shkallët e pallatit. Në ashensor mund të takonte pikërisht ata që nuk duhej.

Ishte mëngjes herët kur e la Tiranën, të mbulur nga një mjegull e shi i imët. Alba e urrente atë lloj kohe dhe falenderonte Zotin që kjo nuk ndodhte shpesh. Hodhi krahëve një xhaketë sportive dhe nxitoi drejt makinës që po e priste në rrugë. Shoferi i taksisë i hodhi një sy nga koka te këmbët; njëqind euro deri në Kapshticë ju duken shumë për vajzën që ishte veshur si mos më keq. “Paratë i dua që në fillim,” i tha ai duke mos i besuar Albës. Ajo ngriti vetullat, e pa me ironi dhe i vuri paratë në dorë: “Kusurin mbaje, pije kafe! Tani nisu!”, ja ktheu ajo. “Ja c’ndodh kur njerëzit gjykohen nga ato që kanë veshur.”

Rruga deri në Kapshticë ishte e gjatë; ndaj kishte kohën e mjaftueshme për të bërë e ribërë plane. E megjithatë, nuk arriti të mendonte thuajse asgjë. Ju duk sikur e shkuara po e përndiqte, e gjithë jeta e saj i kaloi para syve në ato pak orë, teksa lëvizte sa majtas – dhjatas në sediljen e pasme të makinës. Kujtoi kohën kur ishte adoleshente; mosmarrëveshjet e saj me nënën dhe babanë; jetën e varfër në fshatin e saj të largët dhe dëshirën e madhe për të mos qenë më pjesë e tyre. Disa herë tundi kokën për të larguar ato pamje të trishtuara që i vinin në mendje. E, kur më në fund taksia ndaloi, ju duk sikur u clirua. Nuk shkëmbeu asnjë fjalë më shoferin, i cili nuk kishte pushuar së foluri që kur ishin nisur nga Tirana. Sa do të donte të kishte një telekomandë që të mund ta kontrollonte, do ta kishte vënë me dëshirë, që në momentin që vuri këmbën në makinë, në gjendjen: pa zë. Nuk i tha asnjë fjalë, nuk donte që ai ta mbante mend për asgjë. Hodhi një sy jashtë dritares e pa që 5 makina të tjera qëndronin në rradhë para saj. Me delikatesë, që të mos i prisheshin thonjtë që leu gjatë rrugës, nxori telefonin celular dhe mori në telefon Ylli H; policin që ndodhej atë paradite në pikën kufitare shqiptare. Priti pak caste, dhe një djalë i gjatë rreth dy metra, u drejtua drejt makinës së saj. Ai i hapi derën dhe Alba zbriti si një zonjë e rëndë. Ato pak metra rrugë, ishin të mjaftueshme që Alba t’i jepte zarfet e bëra gati më parë. “Njëri është për ty, tjetri është për grekët, sic folëm në telefon. Do të kthehem javën që vjen, sa më shpejt të jetë e mundur,” i tha ajo policit, që ishte bërë i kuq në fytyrë. Nuk e mori vesh, nëse ajo e kuqe ishte nga dielli, apo nga zarfet me para, por fundja kjo pak rëndësi kishte për Albën. Ai e shoqëroi deri në kufi dhe së bashku me kolegun e tij grek Dimitri Kazanopulis, i uruan rrugën e mbarë.

Trak – truku i hapave të saj në asfalt, prishi qetësinë e asaj mesdite në atë pikë kalimtare, ku syri s’të zinte gjë tjetër vesce pluhur e gur. Nuk kishte shumë makina në anën greke, ndaj “audin” e Sandrit e dalloi që prej së largu. Me t’u futur në makinë u rehatua. Që prej atij momenti, plani i saj nisi të numëronte orët mbrapsht. Nuk kishte më kthim mbrapa. Ishin në lojë shumë para.

– Si shkoi rruga shpirt, u lodhe? – e pyeti Sandri. – Më fal që nuk mora dot limuzinën, e di që ti e ke shumë qejf, por do të binim shumë në sy. Një limuzinë mbahet mend mirë në Kapshticë.

Ajo e pa dhe qeshi, nuk tha asgjë, sikur dikush i kishte ngrënë fjalët. Sandri i dukej si një botë tjetër. Ai e puthi lehtë, ishte i lumtur që kishte Albën sërish pranë, kaq i mjaftonte për ta bërë të lumtur. Që kur e kishte njohur, jeta e tij nuk kishte qenë më monotone.

– Merre, – i tha i tha ai i zgjati ai një gotë shampanjë, që kishte futur në një ftohëse akulli, improvizuar bukur.  – Do të ngremë një dolli për ty dhe për të ardhmen e re. Me kaq shumë para, do të mund të bësh c’të duash.

– Prit paratë duhet të kalojnë më parë në llogarinë time, pastaj unë mund të bëj c’të dua, – i tha ajo duke e parë më një vështrim, që dukej se ende nuk ishte gati për atë që do t’i duhej të bënte. Ai i zgjati sërish gotën.

– Mos u mërzit, do t’i realizosh të gjitha. Kam gati dhe pasaportën e re. Asgjë nuk është e vështirë për ty. Mos ma prish! Le të pimë tani…!

E nesërmja e gjeti Albën duke kontrolluar numrat e llogarisë bankare. Iku mëngjesi dhe paraditja e, pothuajse shkoi dhe dreka e asgjë nuk ishte regjistruar ende në llogarinë e kompanisë “Alsa”. Kur i humbi shpresat se do të ndodhte atë ditë, shuma e parave prej 3.5 milion euro, u depozitua në llogari. Sytë i bënë xixa, e zemra filloi t’i rrihte me vrull. Gishtat që shtypnin tastierën e kompjuterit sikur nuk po i kontrollonte dot; ndaj i shkroi numrat në një copë letre. Shënoi me kujdes numrat e llogarisë bankare të Sandrit, në Dubai: AE0703312345678901223465. I kontrolloi dhe një herë dhe pastaj i shtypi, sikur po thyente vezë, një nga një në kompjuter. I verifikoi duke i thënë me zë të lartë, si për të bindur veten, dhe pastaj shtypi butonin: dërgo. Kërciste gishtat duke pritur me padurim mesazhin konfirmues në anën tjetër të kompjuterit.

Dreq, kjo gjë do të më hajë kohë, derisa të verifikohen paratë. Sa inat që nesër është fundjavë, për të mbyllur gjithcka, do të më duhet të pres deri të hënën. Më të kaluar paratë në Zvicër, do të nisem. Nuk do të qëndroj më asnjë sekondë në Tiranë. Ai qytet nuk është për mua asgjë; unë mora prej tij c’ishte e mundur. Tani nuk ka mbetur asgjë më për të marrë,” mendoi. E dinte që një shifër e madhe parash po luante ping – pong sa në një bankë në tjetërë, ndërsa ajo priste me ankth. “Sa ide gjeniale të krijosh një firmë fantazmë e të përfitosh një shumë të tillë. Kam aq shumë para, sa mund të blej një ishull në Greqi. E di që nuk është keq: një shqiptare që ju bën karshi grekëve në këtë kohë krize,” vetëm idea e bënte të lumtur.

“Transferta u përfundua!” u shfaq më në fund në monitorin e laptopit të saj.Mbaroi dhe kjo punë!tha me zë të lartë dhe u shtri sa gjatë gjerë mbi kolltukun e rehatshëm të Sandrit.

– Tani jam e gjitha për ty i dashur, do të pimë e do të bëjmë dashuri deri nesër në mëngjes, – ju drejtua ajo Sandrit që gjatë gjithë kohës ndiqte lëvizjet e saj pa bërë zë.“Le të gëzojë dhe sonte, do të jetë nata e fundit për të,” i tha mendja tinzare. Sandri e zuri për krahu dhe e vuri mbi prehrin e tij; filloi ta zhveshë dalëngadalë. Trupi i saj i brishtë, kthehej në magji, në diell, në hënë; në një këngë të pakënduar. Ai futi kokën midis gjinjve të saj (që kush e di sa para kishte dhënë për operacionet plastike) e dukej sikur thoshte me zë të lartë: mos më zgjoni, kjo është parajsa që dua.

 

“Prokuroria nuk do ta zbulojë kurrë këtë mashtrim ‘të vogël’, por edhe nëse do të ndodhë e kundërta, ‘ne’ do të jemi shumë larg. Atje ku ligji s’ka asnjë forcë mbi ne. Do të jemi njerëz të tjerë, askush nuk mund të na prekë, cfarë mendjeje!” mendonte Alba, ndërsa Sandri kishte zhytur kokën në gjoksin e saj.

 

Nga:

Teuta Metra

Teuta Metra

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s