Ti, tek i cili nuk dyshoj për asgjë

Sot është dita jote, por edhe dita ime. Kjo ditë do të jetë e jona, bashkë, derisa unë të kem frymë. Më duket se akoma je i lidhur me të njëjtin kordon, që unë të ushqeja dikur. Megjithëse tani ke filluar të bësh shumë pyetje: si të mbaja, ku të mbaja e si të jepja për të ngrenë, kur ti ishe brenda meje. Je një pjesë e imja – ndoshta pjesa ime më e mirë – e shkëputur nga trupi im, nga shpirti im e, unë kurrë nuk mund ta ndaj më jetën dhe ditën time nga ti.

Unë i kam harruar netët pa gjumë, qarjet e tua pa fund, lodhjen, sytë që morën një pamje të mavijosur nga pagjumësia. Tani shoh vetëm ty që rritesh cdo ditë. Shoh sytë e tu, që flasin edhe kur ti je i zemëruar e nuk do të thuash asnjë fjalë, shoh buzëqeshjen tënde, kuriozitetin tënd prej fëmijë që do të dish gjithcka. Nuk më vjen keq fare që kam harruar të vishem me funde të shkurtra, apo këpucë më taka, si dikur. Jo, më vjen mirë kur rend pas teje e veshur me atlete dhe flokët e kapura bisht, për të fshehur faktin që janë të palarë. Për të parë buzëqeshjen tënde dhe sytë e ty që shkëlqejnë, nuk më vjen aspak cudi kur ngjitem pas teje ‘majë lodrave’; dikur qeshja me ata që e bënin një gjë të tillë.

Në sytë e tu prej fëmijë, shoh dëshirën tënde për t’u bërë pilot dhe frikën time; lutjet e mia të fshehta që ti të heqësh dorë. Pak profesione ka në tokë, që do të më ikësh lart në qiell? Dje më pyete nëse do të fluturoja me avionin tënd, kur ti të bëheshe pilot. Dhe zemra zuri të më rrahë shpejt, madje më lindi një ide që të bëj dhe vetë një shkollë për pilote, sa për të të ndihmuar nëse do të ndodhesh në vështirësi. E di, është cmenduri!

E di bir, që kur ti erdhe mes nesh, jeta dhe bota për mua mori një tjetër kuptim. E di bir, që dua të të mbroj nga cdo, dhe e di që është e padrejtë. E di edhe që ti duhet të provosh, të rrëzohesh, të ngrihesh vetë e, sërish mua më duket e padrejtë. Dua që të jem unë ajo që të të mbroj nga cdo gjë, dhe unë e di mirë që kjo është gabim. Thjesht nuk mund ta ndaloj vetëm së mbrojturi ty. Bir, unë tani e ndaj jeten time në dy pjesë: para dhe pas 23 marsit të vitit 2012. Më duket se pas kësaj date unë jam bërë tjetër njeri, ndoshta jam dhe më e ndjeshme se më parë. Kush e di! Bir, pas këtij viti unë kam edhe thinja më shumë. Më shtohen pa dashur sa herë ti ke temperaturë; vritesh kur luan me shokët, apo qan pa asnjë shkak. Bir, e di që sot nuk do të më kuptosh e, mbase do të duhen shumë vite që ta dish se ti je krijesa ime pa defekte. E vetmja krijesë për të cilën unë nuk ankohem, nuk dyshoj në vetvete dhe nuk kërkoj më shumë. Të dua kështu sic je! Je dashuria ime.
Nga: Teuta Metra

Teuta Metra

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s