Një ditë në shtëpinë e Shekspirit; aty ku nis historia

Takat e mia mbi pllakat e kohës moderne, prishën qetësinë e atij vendi. Ishte si të ngrije të vdekurit nga varri për të mbajtur veshë. Ndaluam para portës së vjetër prej druri, ndonëse jashtë ishte ftohtë dhe flokët e borës po binin mbi supat tanë, asnjëri prej nesh nuk mori guximin të futej brenda i pari. Ishte një ndjesi e çuditshme të hapje portën që dikur, para gati 5 shekujsh, kishte hapur dhe Uilliam Shekspir ( William Shakespeare). Ajo portë e vjetër do të na çonte 500 vjet mbrapa në histori. A ishim ne gati për një gjë të tillë? Por mendimeve të mia nuk u la kohë dora e panjohur që hapi derën e vogël e na ftoi të futeshim brenda. Me një buzëqeshje të ngrohtë burri që na priti – i veshur me një kostum tradicional si në kohën e Shekspirit – na tregoi shkallët që duhej të ngjisnim. U ktheva dhe një herë e pashë burrin me veshjen e çuditshme, ai më buzëqeshi sërish, ishte sikur ajo buzëqeshje t’í kishte ngrirë në buzë. Nxitova drejt grupit që tashmë ishte ngjitur në katin e dytë. Sa e habitshme, po ecnim në të njëjtat shkallë si Shekspiri dikur, po shkelnim në gjurmët e tij, po preknim në pjesë të së shkuarës së largët. Aty koha ndalonte; aty nuk ishte më ti. Ne ishim një grup i vogël prej pesë vetash, që atë mëngjes së shtune morëm rrugën nga Londra drejt Stratford upon Avon.

 

Nuk flisnim, vështronim në heshtje çdo gjë. Secili prej nesh ishte i zhytur në mendime. Na mrekulloi çdo gjë që na doli përpara: libra, tavolina e tij e punës, një qiri, një shtrat, një palë këpucë. Nuk lamë vend pa bërë foto, pasi donim ta merrnim me vete atë çast, ta shikonim e rishikonim atë që pamë aty atë ditë. Donim ta ndanim me të gjithë; donim ta ndanim me ju. Mbi tavolinën e tij të punës qëndronte ende një libër i hapur, një palë letra dhe mbi stol dy palë doreza. Befas m’u kujtua thënia: ‘O, that I were a glove upon that hand, That I might touch that cheek’. Në oxhak kishte ende një turrë me dru. A thua se gjithçka kishte ndodhur jo më larg se dje. Ishte një çast që vjen vetëm një herë në jetë. M’u kujtuan mësuesit e mi të letërsisë: kush e di çfarë do të  kishin dhënë për një çast si ai? Në cilën prej atyre dhomave kishte marrë jetë vallë ‘Romeo dhe Zhulieta’, ‘Otello’, ‘Makbethi’, ‘Hamleti’ apo ‘Mbreti Lir’. Për çfarë do ta ketë frymëzuar pamja që binte mbi rrugën ‘Henley Street’? po kopshti i vogël përballë shtëpisë së tij? Pamë librat e shkruar në origjinal, penën e tij, krevatin, djepin ku u lind dhe govatën e vogël prej druri ku i ishte bërë banja e parë. Nuk kishin fshirë e humbur asgjë nga origjinaliteti që tregohej në fotot e varura në mur.

Screenshot-2018-1-26 1E6_DSE_ jpg (JPEG Image, 908 × 1024 pixels) - Scaled (64%)

 

Ndala një çast dhe mendova se ne nuk kemi ditur apo nuk kemi dashur të ruajmë asgjë. Gjithçka e kthejmë në hi, në pluhur e me ndonjë rast të rrallë edhe në gur. Shtëpia e gjyshërve të mi është ndërtuar pas luftës së dytë botërore, por nuk kishte kurrë strukturën e asaj shtëpie të ndërtuar më shumë se 5 shekuj më parë. E njëjta gjë dhe shtëpia ku u lind im atë. Madje asnjëra prej tyre nuk ekzistojnë më. Në e thëntë fati të le gjurmë në rrugën që kam nisur, askush nuk do të gjejë dot kurrë rrënjët e mia. Pastaj mendova se sa shumë qendra historike kemi pasur e që për hir të modernitetit i kemi shndërruar në kafe e restorante; i kemi bërë me pllaka shkëlqyese dhe ju kemi humbur origjinën. Vështrova me kujdes çdo tra e çdo gurë të asaj shtëpie, doja të gjeja sekretin e Shekspirit, burimin e atij frymëzimi të madh e ta merrja me vete. Po ai nuk ekziston në gjërat materiale; ai fle përjetësisht me atë që e mbart që në ditën që lind. Sekreti i një pene të madhe lindi dhe vdiq bashkë me Shekspirin.

 

Screenshot-2018-1-26 xlA8S8PZ jpg (JPEG Image, 768 × 1024 pixels) - Scaled (64%)

Hapat i hidhja ngadalë dhe mendoja se ndoshta po shkelja dhe mbi hapat që Charles Dickens, Sir Walter Scott, apo Isaac Watts kishin lënë si vizitorë dikur shumë kohë më parë në atë shtëpi.

Screenshot-2018-1-26 3RrTiGKi jpg (JPEG Image, 768 × 1024 pixels) - Scaled (64%)

Një ndjesi e papërshkruar më shoqëronte nga dhoma në dhomë. Më dukej sikur dikush më pëshpëriste në vesh: ‘’Të jesh apo të mos jesh, – kjo është çështja. “ Shkelja lehtë nëpër dërrasat e dhomës, të cilat sa herë ndërroja hapat ‘’betohem” se lëshonin një tingull të lehtë. Ngrita me dyshim kokën dhe pata përshtypjen se po më vëzhgonin. Nuk pashë asgjë tjetër përvec atyre vizitorëve të shumtë që megjithëse ftohtë, nuk i kishte ndaluar asgjë për të shkuar në Straford upon Avon.

 

Screenshot-2018-1-26 tnJ_JsFL jpg (JPEG Image, 768 × 1024 pixels) - Scaled (64%)Besoj se për grupin tonë të vogël vlen të thuhet: “Të shohësh dhe të mbash mend, e të bësh pjesë të jetës tënde gjithçka me vlerë që gjetëm aty’. Kur morëm rrugën për t’u larguar nga ajo shtëpi pamë që në katin përdhes zjarri ishte i ndezur, ndërsa tavolina qëndronte e shtruar: për mua, për ty, e për të tjerë që do të shkojnë në atë vend pas nesh… Jashtë vazhdonte të binte sërish borë.

Screenshot-2018-1-26 2UQ0XMTg jpg (JPEG Image, 768 × 1024 pixels) - Scaled (64%)

Nga:

@Teuta_Metra

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s