2018, ji i mbarë me ne!

Dhjetorin e kam dashur gjithmonë shumë. Qyteti vishet me një petk të bukur e njerëzit më duken ndryshe. Dritat e shumta që rrethojnë çdo gjë që të kap syri, më mbushin me një energji pozitive dhe më japin një forcë të madhe për të vazhduar më tej. Megjithatë, nuk ma heq dot njeri nga mendja që vitet po iki shumë shpejt: sidomos këto vitet e fundit, kur kuptova që Babagjyshi I Vitit të Ri, është shumë i zënë me punë dhe nuk vjen më. Kështu ndodhi dhe me 2017-tën.

Më duket se iku sa hap e mbyll sytë. Shumë ngjarje ndodhën e shumë njerëz nuk janë më. Ky vit më mësoi dicka të rëndësishme që ndoshta e kisha brenda meje, por nuk e kisha thënë kurrë me zë: të jem mirënjohëse për gjithçka kam. Të jem mirënjohëse për familjen time, për miqtë dhe të afërmit e mi. Është një dhuratë kaq e çmuar, sa nuk ja dimë vlerën kur i kemi pranë. Koha që kemi në dispozicion në këtë botë është kaq e shkurtër, ndaj mbajini njerëzit tuaj pranë, shtrëgojini dorën e ecni bashkë me ta: mos i lini vetëm! Nëse ata bien, përpiquni t’i ngrini sërish. Jemi një forcë kaq e madhe mbështetëse, kur jemi bashkë. Duajini ata pa kushte, sepse janë e vetmja pasuri që kemi e nuk mund të na e rrëmbejë askush. A nuk është kjo në fund të fundit magjia e festave: të japësh dhe të marrësh dashuri; ndaj dhe unë e dua dhjetorin. Duke ta thënë ty lexues i dashur, po përpiqem t’ia them dhe vetes që 2017-ia më mësoi se nuk ja vlen të bësh vrap si e çmendur për të mbushur tavolinën kush e di me sa shumë lloj gjërash, që të nesërmen do të hidhen në kosh; pa vlerë.

Ndërkohë që në tavolinën e dikujt tjetër mund të mos ketë asgjë. U ndjeva si e zënë në faj kur një mikesha ime bullgare më dha një çantë të vogël me dhurata. Unë s’kisha përgatitur asgjë për të. Madje, duke vrapuar pas gjërave që në këto çaste më duken kaq të parëndësishme, as nuk e kisha vrarë mendjen për dhuratë. Ajo çantë e vogël më përfshiu në magjinë e festave. Vetëm pak orë më pas e pashë veten duke shkruar kartolina të shumta, të cilat i cova me një frymë në postë. Kisha kohë pa e bërë një gjë të tillë, ndoshta që kur isha fëmijë. Interneti na e hoqi kënaqësinë e blerjes së një kartoline të vërtetë: shkrimit të saj me dorë, gjetjen e vjershave të duhura; madje edhe lëpirjen e zarfit me gjuhë për ta bërë që të ngjisë sa më mirë. Paketova dhe disa dhurata të vogla dhe u ndjeva mirë kur i shpërndave tek miqtë e mi. ‘Po unë s’të kam bërë asnjë dhuratë ty,’ ma ktheu mikja ime, kur unë i vura përpara një shportë të vogël që kisha bërë gati për të. Ja pashë skuqjen që i mori përnjëherë fytyra e saj bardhoshe. ‘Kjo është magjia e festave, të ndash atë që ke,’ i thashë. Pashë veten në sytë e saj dhe u ndieva mirë. Atëherë e kuptova që rëndësia e gjithckaje nuk është: më jep, të të jap. Magjia është në ndarjen e asaj që ke, në përfshirjen e sa më shumë njerëzve dhe kështu magjia bëhet më e madhe dhe nuk shuhet kurrë.

Jam e sigurtë që ajo i ka bërë gati një shportë të vogël dikujt tjetër. 2017 më mësoi se duhet të jem mirënjohëse që kam një çati mbi kokë, kur ka njerëz që flenë nëpër kampe; të ikur nga lufta që ju ka zënë derën e shtëpisë. Ka njerëz që u është përmbytur gjithçka kanë dhe përsëri kanë gjetur forcën për të ecur përpara. Ky vit që po lëmë pas më mësoi se edhe nëse humbas një betejë, nuk është fundi i gjithçkaje. Duhet të rigjej forcën për t’u ringritur sërish si tek përralla e Feniksit. Charles Dickens thotë: ‘Reflekto mbi bekimet e shumta që ke dhe jo mbi disa fatkeqësi.’ Shkurt, e di që Babagjyshi nuk vjen, por unë përsëri kam një dëshirë: ‘Të lutem 2018, ji i mbarë me ne!’

Nga:

Teuta_Metra's avatar

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

w

Connecting to %s